Enada At’Nikolla

enada

Prej 20 vitesh emri i stilistes Enada At’Nikolla është një nga më të fuqishmit në fushën e modës në Shqipëri. Ish-modelja e spikatur në vitet 1990 ka krijuar ndër vite koleksione të panumërt, që nga ato bikini, tek fustanet koktejl, të mbrëmjes, fustane nusërie, e tek ato haute couture!

Fillimet e At’Nikollës në fushën e modës kanë qenë si modele, kur ajo ishte ende gjimnaziste në shkollën “Sami Frashëri”. Në vitin 1995 garon në Miss Albania në moshën 18 -vjeçare. Aktive në sfilatat e kohës Enada spikati, teksa shkëlqeu në një nga sfilatat më të rëndësishme të kohës, atë të stilistes së re, Eni Velçani në vitin 1996.
Për çudinë e të gjithëve fillesat e Enadës ishin larg modës, – gati një tabu në kohën që ajo ishte në shkollën 8-vjeçare, ku ajo do të njihej si kampionia e garave; Kërcim së larti, Kërcim së gjati dne 100-metërsh me pengesa. Nga ana tjetër, një nga dashuritë e mëdha të Enadës, që vijoji gjatë ishte poezia. Enada shkruante vargje, jo thjesht për veten, por ajo konkurronte me moshatarët e saj në konkurset e njohura të kohës, ku në një prej tyre të zhvilluar në Radio Tirana, – e vetmja radio e para viteve ‘90, – ajo fitonte herë pas here dhe ishte prezente në studio duke ndarë krijimet e saj letrare.
Periudha e gjimanzit do të ishte koha, kur Enada Top Modelja e shkollës, do të ishte protagoniste edhe e klipeve të kohës. Një nga më të suksesshmit “Makina e Memories” e kantautorit Ardit Gjebrea.
Enada At’Nikolla është rritur në Tiranë, por ka lindur në Korçë, në Voskopojë.
Ajo çfarë e karakterizonte që në fillimet e saj, Enadën ishte rebelimi, gjë të cilën ajo e demostronte në veshje dhe në modelin e flokëve, po aq edhe teksa ecte në pasarelë. Si modele At’Nikolla frymëzohej nga ritmi i ecjes së Naomi Campell, apo lëvizja e kokës a buzëqeshja e Linda Evangelista, por ama sfilonte sipas mënyrës së saj. Kështu nisi edhe rruga e saj si stiliste. Një dëshirë për të mos u ndarë kurrë nga moda, por edhe për të qenë një njeri i pavarur dhe për të kthyer në art idetë e saj. Stili i saj ka ndjekur vetë Enadën, ku ajo asnjëherë nuk ka rendur pas trendeve të fundit, por ka qenë shumë fantatike për të pasur diçka të sajën.
Vetë Enada e përkufizon kështu punën e saj krijuese:
“Mua më pëlqen të krijoj! Kështu formoj një botë paralele, larg asaj që jetoj! Një botë që është si e dua unë; nga format, ngjyrat, dinamikën e asaj që unë kam brenda vetes sime dhe që do të doja ta jetoja në fakt në përditshëmrinë time. E, sigurisht të kishin mundësi ta shihnin edhe të tjerët. Përditë jam në këtë ingranazh krijimi, në të cilin formoj botën që dua!”

Sot, Enada At’Nikolla numëron dhjetra sfilata në Shqipëri dhe jo vetëm. Në vitin 2009, At’Nikolla ka hapur javën e modës në Dubrovnik 2009.
Ka realizuar 3 kalendarë të suksesshëm, me emrat më të famshëm të spektaklit shqiptar. Veshjet e saj kanë qenë në faqet e modës në botë; si, Vogue-Italia.
Një nga sukseset më të mëdha të krijueses plot fantazi ishte përzgjedhja në Fashion Party, eventi i modës i realizuar në Lolly Pop, në Tiranë në 24 maj 2008.
Enada At’Nikolla është e martuar me sipërmarrësin Agim Zeqo dhe ka dy fëmijë, vajzën Kendra dhe djalin Harold. Kendra e ka frymëzuar për të realizuar edhe sfilatën “Kids Fashion Show”, në verën e vitit 2012.
Po këtë vit, At’Nikolla ishte stiliste e “Miss & Mister Albania” dhe anëtare jurie krah fotografit Fadil Berisha, modeles Emina Çunmulaj, aktorit Blerim Destani, si dhe “Miss Albania 1992” Valbona Selimllari. Koleksioni i saj, i frymëzuar nga Victoria’s Secret pati një bujë të madhe, teksa veshjet bikini dhe kapelet e krijuara prej saj, u vlerësuan me superlativa.
“Jam shumë i eksituar. Veshjet që krijoi Enada i dhanë një vlerë dhe dukej si një pasarelë e Victoria’s Secret”, u shpreh fotografi me famë botërore Fadil Berisha. Ndërsa, supermodelja Çunmulaj komentoi pas sfilatës se “Pritshmëritë e mia u shumfishuan me 100 për qind”.
Në Janar të vitit 2013, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u ngjit kryevepra “Ali Pasha Von Janina”, ku Enada krijoi kostumografinë e operas, një zhanërt i ri në lëmin e stilimit, për të cilin ajo solli një tablo reale dhe plot fantazi të periudhës, kur zhvillohej ngjarja.
Stilistja Enada At’Nikolla prezanton çdo vit dy koleksione veshjesh, ndërsa artistet, sipërmarrëset dhe politikanet zgjedhin veshjet e saj, e këngëtarët i besojnë videoklipet markës At’Nikolla.